Rama: Prokurimet, pjesa më e neveritshme e qelbit të korrupsionit. Do t’i neutralizojmë përmes inteligjencës artificiale
Duke i konsideruar prokurimet publike si “pjesën më të neveritshme të qelbit të korrupsionit”, kryeministri Edi Rama bëri me dije se i gjithë procesi do të bëhet transparent me ndihmën e inteligjencës artificiale.
Në episodin e radhës në Podkastit “FLASIM”, Rama tha se një pjesë e problematikës vjen edhe për shkak se personat që marrin pjesë në këto procedura, nuk kanë nivelin e mjaftueshëm të kompetencave.
Sipas kryeministrit, përmes inteligjencës artificiale do të kapërcehet nevoja e një energjie të madhe njerëzore në procedurat e prokurimeve gjë që, sipas tij do të çojë në thuajse zero korrupsionin.
“Për të ardhur te prokurimet që janë një problem ku burojnë plot pasoja dhe ku buron edhe pjesa më e neveritshme e qelbit të korrupsionit. Ne bëjmë mijëra prokurime në vit, janë dhjetëra mijëra anëtarë komisionesh, persona që marrin pjesë. Këta njerëz duhet të disponojnë dijen e nevojshëm ligjore e teknike për atë që bëjnë.
Dhe një pjesë e problematikës vjen nga niveli jo i mjaftueshëm i kompetencave, gjë që ka bërë që vende edhe më të zhvilluara të krijojnë struktura të tjera. Në momentin kur kjo varet nga i gjithë procesi i ngritjes së kapaciteteve harmonizimit të ligjeve, kjo bëhet një çështje kohe shumë më e gjatë se nevoja që kjo të bëhet tani. Me modelin që ne po bëjmë me inteligjencën artificiale, ne mund ta kapërcejmë komplet. Ne përmes kësaj nuk kemi më nevojë për gjithë këtë energji njerëzore, por neutralizojmë në një masë të madhe, që mos them zero, atë burim qelbi. E kthejmë procesin e prokurimit të fondeve publike në një proces transparent, të thjeshtë dhe të lexueshëm”, tha Rama.