Rama publikon fotoalbumin e vizitës në Turqi: Mikpritje vëllazërore në Ankara
Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një vizitë pune në Ankara, Turqi, ku u mikprit nga Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Kryeministri ndau sot në rrjetet sociale fotoalbumin e mikpritjes vëllazërore në Ankara.
Ndalesa e parë e Kryeministrit Rama ishte në Anitkabir, Mauzoleumin e Mustafa Qemal Ataturkut, lideri i luftës turke për Pavarësi dhe themeluesi e Presidenti i parë i Republikës së Turqisë.
Pas ceremonisë së veçantë të mikpritjes që u zhvillua në Presidencën e Republikës së Turqisë, Kryeministri Rama dhe Presidenti turk Erdogan zhvilluan një takim bilateral mes tyre.
Më pas, Kryeministri Rama dhe Presidenti Erdogan drejtuan mbledhjen e Bashkëpunimit të Nivelit të lartë midis dy vendeve, me pjesëmarrjen edhe të disa prej ministrave të kabineteve qeveritare respektive.
Në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes Turqisë dhe Shqipërisë u nënshkruan po ashtu disa marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi dypalëshe në fushën e mjedisit, mbrojtjes, të medias dhe komunikimit, etj.
Në përfundim të vizitës, Kryeministri Rama dhe Presidenti Erdogan dolën në një deklaratë të përbashkët për shtyp.
Së bashku me Kryeministrin Rama pjesë e delegacionit qeveritar ishin dhe zv/kryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku; ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani; ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi; ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj; ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu; ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu; si dhe ministrja i Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.