Rama: Së shpejti nënshkruajmë marrëveshjen e tregtisë së lirë me Emiratet e Bashkuara Arabe
Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të nënshkruajnë së shpejti marrëveshjen e tregtisë së lirë.
Lajmin e bën të ditur kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetin social Facebook ndërsa ka ndarë edhe një foto nga takimi me Presidentin e Emiratave të Bashkuara, Muhammed Bin Zayed Al Nayan.
Rama thekson se gjatë takimit me presidentin biseduan për ecurinë e projekteve të mëdha strategjike në fushën e energjisë, turizmit, infrastrukturës dhe sigurisë.
“I nderuar nga miqësia dhe mikpritja në shtëpi e Presidentit të Emiratave të Bashkuara, Muhammed Bin Zayed Al Nayan, me të cilin biseduam për ecurinë e projekteve të mëdha strategjike në fushën e energjisë, turizmit, infrastrukturës, sigurisë, si edhe për marrëveshjen e tregëtisë së lirë që do të nënshkruajmë së shpejti”, shkruan Rama.
Një ditë më parë, Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në panelin e Samitit Botëror të Qeverisjes mbi rolin e teknologjisë në adresimin e sfidave aktuale ku shprehu dëshirën që Shqipëria të jetë pjesë e BE-së.