Rama: Së shpejti, paketa e dytë mbështetëse për panelet diellore
Qeveria shqiptare së shpejti do të bëjë shpalljen e paketës së dytë mbështetëse për panelet diellore në banesa për familjarët. Lajmin e bëri me dije kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale. Kreu i qeverisë theksoi së Shqipëria është e para në rajon për sa i përket vetprodhimit të energjisë diellore.
“Sot jemi të parët në rajon për vetprodhimin e energjisë diellore nga familjarët dhe bizneset. Prodhojmë 196 megavat, katërfishin e Serbisë dhe më shumë se dhjetëfishin e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut” tha zoti Rama.
Kreu i qeverisë njoftoi se “Së shpejti do të bëhet shpallja e paketës së dytë mbështetëse për panelet diellore për familjarët në banesa”. Zoti Rama shprehu bindjen se edhe kjo paketë do të jetë pa diskutim një sukses, sepse siç ndodhi edhe me paketë e parë interesi është i madh dhe faktikisht u shterua gjithë financimi 100%. Kreu i qeverisë kujtoi se çmimi i energjisë elektrike është ulur me 10,5% ndërsa shtoi se brenda pak viteve vendi do të fitojë pavarësinë e plotë energjetike.