Rama: Së shpejti shkoj në Prishtinë. Krenar për kontributin e Shqipërisë për dialogun Kosovë-Serbisë
Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se së shpejti do të udhëtojë drejt Prishtinës për të treguar personalisht mbështetjen e tij ndaj Kosovës. Me anë të një postimi në rrjetin social X, Rama ka përsëritur mbështetjen e Shqipërisë ndaj Kosovës në zbatimin e Marrëveshjes Themelore, ndërsa garantoi se do të vijojë të luajë rol në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.
Kreu i qeverisë u shpreh krenar për kontributin e Shqipërisë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.
“Nuk mund të jem më krenar për kontributin e vendosur dhe konkret të Shqipërisë në procesin e vështirë të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, draft-statuti i ASMM-së i pranuar nga Kosova dhe Serbia si dokument i përshtatshëm pune është draft i BE-së.
Shqipëria do të mbështesë fuqishëm Kosovën në zbatimin e Marrëveshjes Themelore dhe do të vazhdojë të luajë rolin e saj në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal ndërmjet të gjitha vendeve të fqinjësisë sonë. Së shpejti do të shkoj në Prishtinë për të treguar personalisht mbështetjen time”, shkruan Rama.