Rama: Udhëtimi në Shqipëri fillon me TEA-n
TEA (Tourism Events of Albania), kalendari digjital i turizmit është një platformë e mirëorganizuar e programeve turistike, kulturore dhe artistike që u shërben turistëve që zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë.
Ndërsa ndau një video informuese mbi këtë aplikacion, kryeministri Edi Rama u shpreh se “udhëtimi në Shqipëri fillon me TEA-n”.
“Sapo mbërrin në Portin e Durrësit, mirëseardhjen e parë ta ofron Aplikacioni Udhërrëfyes TEA. Në çdo moment, krah për krah turistëve vendas dhe të huaj, me ftesën për t’u njohur me gjithçka që ky vend i bukur ka për të ofruar si pika turistike, evente, agroturizma dhe shumë shërbime të tjera, përmes aplikacionit TEA”, shkruan kryeministri.
Kalendari turistik i eventeve verore vjen edhe këtë vit i harmonizuar në aplikacionin TEA (Tourism Events of Albania).
Aplikacioni TEA është i aksesueshëm falas në të gjithë telefonat. Në aplikacion gjenden aktivitetet që ndodhin gjatë sezonit turistik në çdo kohë dhe në çdo vend. Mjafton të vendosësh vendndodhjen dhe aplikacioni do të nxjerrë rezultatet ku veprimtaritë do të jenë të dedikuara për të gjitha grupmoshat.
Ky kalendar turistik digjital është realizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit përmes Agjencisë Kombëtare të Turizmit në koordinim me institucione të tjera si Ministria e Kulturës dhe të gjitha bashkitë e vendit. /m.m/