Rama uron 1 Majin : Suksese njerëzve të punës!
Kryeministri socialist Edi Rama uroi 1 Majin, Ditën e Punëtorëve, duke ndarë pamje nga Shkodra.
“Nga Shkodra, ku njerëzit e punës po bëjnë të mundura deri edhe në majat e maleve, gjëra që deri dje dukeshin të pamundura, duke rritur hap pas hapi një ekonomi të shëndetshme për familjen e për vendin me besimin tek puna, respektin për punën e njëri-tjetrit, bashkimin e forcave për punë që s’bëhen dot vetëm, ju uroj në këtë një 1 maj vetëm të mira, shëndet e suksese të gjithë njerëzve të punës kudo ku janë”, shkruan kryeministri.
Rama zhvilloi një dit më parë një vizitë në Theth, një nga zonat turistike kryesore të veriut të Shqipërisë.
Ai ndoqi ecurinë e punimeve në Rrugën e Dukagjinit si dhe pa nga afër Zip Line, një mundësi e re për të eksploruar nga ajri atraksionet e Parkut Kombëtar të Thethit.
Rama u takua në Theth me drejtues bujtinash dhe agroturizmash nga ku njoftoi edhe “Paketa e Maleve”, një mbështetje e re për investitorët vendas që duan të investojnë në tokën e të parëve.
Turizmi malor dhe investimet për rigjallërimin e tij vijojnë të mbeten një prioritet, tashmë i përforcuar me një paketë të re të mbështetjes për investimet në këto zona, e cila do t’i hapë rrugë një zhvillimi intensiv, përmes inkurajimit dhe mbështetjes së investitorëve vendas, që kursimet e punës në emigracion, duan t’i investojnë në tokat e të parëve të tyre.