Rama: Viti i pyjeve, programe mbarështimi, përkujdesjeje dhe edukimi
Viti 2024 është Viti i Pyjeve.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga pyjet e vendit tonë, teksa u shpreh se, këto pamje duhet të jenë frymëzim për një vit të tërë me programe mbarështimi, përkujdesjeje dhe edukimi.
Dje ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku prezantuan aktivitetet e kalendarit kombëtar të Vitit të Pyjeve, i cili do të jetë sa më gjithëpërfshirës me fokus rritjen e sipërfaqeve pyjore dhe ruajtjen e tyre.
Kumbaro theksoi domosdoshmërinë e hartimit të planeve të mbarështimit për ekonomitë pyjore dhe edukimin e ndërgjegjësimin publik për këtë pasuri kombëtare.
Kumbaro u shpreh se, kjo nuk është thjesht vetëm çështje mbarështimi të pyjeve por duhet konsideruar edhe si ekonomi dhe e ardhme dhe ndërlidhje midis sektorit privat e publik.
Fushatat e pyllëzimit kanë nisur 2 muaj më parë në disa prej bashkive të vendit.
“Objektivat e vitit kombëtar 2024 si Viti i Pyjeve, janë pjesë e një programi të gjerë që parashikon më shumë se sa mbjellje pemësh. Sot zonat e mbrojtura, turizmit malor e i natyrës janë në ditën e tyre më të mirë”, tha Kumbaro.