Rama: Vizionin e Ataturkut për paqe dhe përparim është e vështirë ta gjesh sot
Ndalesa e parë e kryeministrit Edi Rama në vizitën e tij në Turqi ishte mauzoleu i Ataturkut, ku la edhe përshtypjet për themeluesin e Turqisë moderne.
Ndërtesa monumentale e ngritur në Ankara si përmendore për Mustafa Qemal Ataturkun simbolizon përgjatë Rrugës së Luanëve fuqinë dhe kurajën e popullit turk, ndërsa në Hollin e Nderit ku prehet trupi i ish-udhëheqësit, reflektohet trashëgimia e tij dhe parimet e Republikës turke.
“Kujtojmë liderin e madh në emrin e të cilit gjejmë rrënjët e shtetit modern turk dhe trashëgimia e të cilit ngjyros identitetin e shoqërisë turke. Prania e Mustafa Qemal Ataturkut dëshmon një përfshirje, paqe dhe përparim që është vështirë të gjendet edhe sot. Inteligjenca e bëri atë të kuptojë rëndësinë e emancipimit të grave. Dashuria për kombin e tij e bëri të përqafonte përparimin, shkrim-leximin dhe të mbështeste reformat ekonomike, që vërtetojnë pasionin e tij për zhvillim dhe vizionin e çmuar. Këtu, në hapësirën e shenjtë të prehjes së përjetshme të Ataturkut, ne kremtojmë vizionin e tij për një Turqi moderne të arritur përmes mjeteve të papritura të dashurisë dhe paqes,” shkroi kryeministri në librin e përshtypjeve.
Rama u prit të martën me ceremoni zyrtare nga presidenti turk, Rexhep Tajip Erdoan (o. Recep Tayyip Erdoğan). Ceremoniali i parapriu mbledhjes së parë të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turqi–Shqipëri dhe nënshkrimit të memorandumeve dypalëshe në fushën e turizmit deri te marrëveshjet ushtarake.