Raporti i KE-së, Bardhi: Shqipëria nuk plotëson asnjë standard evropian politik, ekonomik dhe social
Deputeti i opozitës Gazment Bardhi, ka reaguar të mërkurën lidhur me raportin e KE-së për Shqipërinë. Sipas tij, skaneri i Komisionit Evropian e nxjerr Shqipërinë, si “vendin me sëmundje të rënda të demokracisë”.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Bardhi thekson se “vlerësimi i KE-së për situatën alarmante të korrupsionit dhe krimit të organizuar, e nxjerr Shqipërinë poshtë mesatares”.
“Shqipëria nuk plotëson asnjë standard evropian politik, ekonomik dhe social. Skaneri i Komisionit Evropian e nxjerr Shqipërinë e drejtuar nga Edi Rama si vendin me sëmundje të rënda të demokracisë.”, shkruan Bardhi.
Sipas tij, raporti konfirmon shqetësimet e drejta të opozitës për mungesën e lirisë në Parlament, për kufizimin e së drejtës kushtetuese për ngritjen e komisioneve hetimore, për përjashtimet arbitrare të deputetëve, për mungesën e përparimit në reformën zgjedhore.
“Komisioni Evropian vendos gishtin në plagë, kur vlerëson situatën alarmante të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Niveli i Shqipërisë renditet nga Komisioni Evropian poshtë mesatares në të dyja këto fusha jetike, sepse qeveria e Edi Ramës nuk ka në axhendë luftën serioze kundër krimit dhe korrupsionit. Përmes tyre, Edi Rama ble zgjedhjet dhe zgjat pushtetin e tij, që po rrënon çdo ditë shqiptarët.”, thekson Bardhi.
Ai e sheh të drejtë shqetësimin e Komisionit Evropian për gjendjen e opozitës, prandaj është detyrim për opozitën, sipas tij, “që të shndërrohemi në një alternativë të besueshme qeverisëse, duke filluar më së pari në bërjen funksionale të opozitës sa më shpejt”.