Raporti i UNESCO, Xhixho: Shqipëria duhet urgjentisht të përmirësojë financimin për sektorin e arsimit
Zv.presidentja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho ka ngritur shqetësimin mbi raportin e UNESCO-s dhe nevojën urgjente për përmirësimin e financimit në sektorin e arsimit.
Sipas Xhixhos, raporti konstaton përkeqësim në raportin mes shpenzimeve për arsimin me buxhetin dhe prodhimin e brendshëm bruto.
Zv.presidentja e PL-së thekson se sot arsimin është në emergjencë kombëtare.
“Ky vit i ri nisi me një vlerësimin e parë negativ nga një raport ndërkombëtar. UNESCO, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, e cila konkludon në analizën e saj se Shqipëria duhet urgjentisht të përmirësojë financimin për sektorin e arsimit dhe për një shpërndarje më të mirë të burimeve.
Raporti konstaton një përkeqësim progresiv të raportit mes shpenzimeve për arsimin me buxhetin dhe prodhimin e brendshëm bruto.
Në fakt, raporti i UNESCO-s nuk është gjë tjetër veçse një zë i shtuar në përpjekjen tonë, për faktin se sot arsimi është në emergjencë kombëtare.
Vetëm pak ditë më parë, buxhetit të pamjaftueshëm për arsimin, qeveria i hoqi edhe 700 milionë lekë. Shkurtimi i fondeve të arsimit, në një kohë kur shkollat dhe degët universitare po mbyllen me një ritëm dramatik, analfabetizmi funksional rritet nga dita në ditë dhe rezultatet në testet PISA vijnë vetëm duke u përkeqësuar, është prova më e qartë se për këtë qeveri, arsimi nuk ka qenë e nuk do të jetë prioritet ndonjëherë”, deklaroi Xhixho.
Kjo e fundit rendit disa nga problematikat e ngritura në raport, duke evidentuar këtu pagat e mësuesve, decentralizimi dhe buxheti për arsimin.
Xhixho theksoi se më shumë se kurrë, nevojitet një pakt kombëtar për arsimin. Ajo nënvizoi ndërkaq se rimëkëmbja e arsimit është një prej pesë prioriteteve të Partisë së Lirisë, ndërsa shpalosi më tej edhe programin e kësaj force politike mbi arsimin.
“Ne do të dyfishojmë buxhetin e arsimit, 5% e PBB do të jetë niveli dysheme, ku buxheti i arsimit do jetë i pari që do plotësojë të gjitha nevojat e tij. Do të dyfishojmë fondet për kërkimin shkencor dhe inovacionin.
Do të implementojmë sistemin e kateringut në kopshte dhe shkolla, sipas modelit të shtetit të Kosovës që sot e ka realitet dhe modelit europian.
Do të reformojmë kurrikulat me ekspertë të pavarur, larg çdo ndikimi politik.
Një theks i veçantë do t’u vihet lëndëve të edukimit qytetar, me synimin për të formuar individë që njohin të drejtat e detyrimet e tyre në shoqëri dhe din t’i mbrojnë ato, duke ndërtuar qytetarë të angazhuar me mendim kritik .
Ne do të dyfishojmë pagat e mësuesve duke i rikthyer dinjitetin këtij profesioni që në fakt është një mision, gjithashtu do të mbështesim financiarisht studentët që zgjedhin degët e mësuesisë.
Do të trajtojmë me investime prioritare degët e teknologjisë dhe informacionit për të përgatitur brezin e ri me sfidat e kohës”, theksoi Xhixho.