Reali i Madridit, një përmbysje e çmendur
Pasi ka njohur të martën finalisten e parë, Liga e Kampioneve, ka njohur të mërkurën edhe skuadrën tjetër që ka siguruar vendin në finalen e madhe. Dhe ajo është Reali i Madridit, që ka triumfuar në mbrëmje 2-1 në duelin përballë Bajernit të Mynihut, në takimin e kthimit të çiftit të dytë të gjysmëfinaleve.
Në fakt, sfida e luajtur në kryeqytetin madrilen ka parë një pjesë të parë kryesisht të barazpeshuar, me të dyja skuadrat që bëjnë një lojë të kujdesshme, ndonëse si Reali i Madridit, ashtu edhe Bajerni i Mynihut patën nga dy raste për shënim, aty ku spikati për spanjollët ai i shpërdoruar në minutën e 13-të nga Vinisius Zhunjor për vendasit, që ndalen nga shtylla e portës, por edhe instinktet e Nojerit, por edhe ai i minutës së 28-të për miqtë, kur portieri Lunin zgjatet për të devijuar jashtë goditjen e beftë të Herri Kejnit.
Me Nojerin që thërritet në apel 6 minuta para fundit të kohës së rregullt, por me rrjeta të paprekura do të mbyllet pjesa e parë. Ajo e dytat do të njëjtën tablo, me dy gardianët e portave, Nojer dhe Lunin, protagonistë kryesorë duke u mohuar sulmuesve kundërshtarë golin. Megjithatë, përkundër rrjedhës së lojës, është Bajerni i Mynihut që do të kalojë në epërsi i pari, kur Alfonso Dejvis godet fuqishëm pas një kundërsulmi dhe përshëndet rrjetën.
Por Reali nuk do të dorëzohet dhe, pasi i është anuluar një gol në minutën e 73-të, do të jetë Hoselu që do të barazojë shifrat dy minuta para fundit të kohës së rregullt.
Dhe në një finale të çmendur, është sërish Hoselu, që edhe falë Sistemit të Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), do të përshëndesë rrjetën, duke përmbysur kështu shifrat në favor të vendasve.
Mbyllet kështu me fitorin 2-1 të Realit të Madrid kjo përballje e gjigandeve ndaj Bajernit të Mynihut, që erdhi drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, së bashku me emisionin e posaçëm. Kështu finalja e madhe e 1 qershorit do të jetë Real Madrid-Borusia Dortmund.