Realizohen 2.3km korsi biçiklete/ Inxhinier Elsid Sadiku apel banorëve të ruajmë së bashku këto investime
Bashkia Shkodër prej disa ditësh ka nisur punën për ndërtimin e korsive të biçikletave në rrugët kryesore të qytetit të Shkodrës.
Deri tani janë realizuar 2.3 km, nga 3 km që janë parashikuar në total në rrugët kryesore të qytetit. Në një dalje publike për mediat, Elsid Sadiku, inxhinier pranë Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Bashkisë Shkodër ka sqaruar në detaje ndërhyrjen që është bërë. Por ajo çfarë është vënë re gjatë ditëve të fundit ka qënë dëmtimi i konëve të vendosura pranë këtyre korsive të dedikuara për biçikletat. Ai ka apeluar ndaj banorëve që të ruajnë të gjithë së bashku këto investime të përbashkëta për banorët e Shkodrës. Shkodra ka në traditën e saj të hershme përdorimin e biçikletave dhe pas ndërhyrjes të bashkisë së Shkodrës, aksesi i lëvizshmërisë me biçikleta në Shkodër është lehtësuar duke krijuar kushte për përdorimin e biçikletave, mikes së qytetarëve të Shkodrës.