Receta dhe shije/ Brokoli me gjizë e hudhra
Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)
- 500 gr brokoli
- 250 gr gjizë e freskët
- Kripë
- Vaj Ulliri
- 2-3 thelpinj hudhra
Përgatitja
Procesi i përgatitjes së brokolit në avull është një metodë shumë e shëndetshme për të ruajtur vlerat e kësaj perimeje.
Mjafton të vendosni një tenxhere me dy-tre gota ujë në zjarr dhe pak kripë.
Sapo uji të nisë të vlojë, vendosni në tenxhere një kullesë metalike me vrima (si ajo e makaronave) dhe në të vendosni degëzat e brokolit.
Mbylleni me kapak dhe lëreni të gatuhet përreth 5-6 minuta, derisa brokolit të zbuten por jo të qullen.
Në këtë rast, përgatitja e brokolit në avull kërkon pak minuta më shumë se sa procesi i zierjes.
Largojini brokolit nga avulli.
Ndërkohë vendosni një tigan në zjarr, shtoni vajin e ullirit, gjizën, hudhrat e shtypura kaurdisini dhe më pas shtoni aty brokolit, kaurdisini dhe më pas kalojini në furrë të parangrohur në 200 gradë për 10-15 minuta.
Ky gatim special shoqërohet në mënyrë fantastike me bukë të thekur, byrekë të shijshëm shtëpie, sallata të freskëta të stinë, perime të pjekura.
Kjo recetë mund të përdoret gjithashtu edhe si meze në tryezë për të shoqëruar gatime të tjera të ndryshme.
Me shije të mrekullueshme dhe duke ndjekur të njëjtën mënyrë gjithashtu mund të përgatisni edhe lulelakrën dhe do të kënaqeni padiskutim edhe me shijen e saj.