Receta dhe shije fantastike/ Byrek fshati me presh dhe djathë
Përbërësit
- 1kg presh
- 500 gr miell me hime
- 1 lugë gjellë miell (për mbushjen e masës me presh)
- Një filxhan çaji kos
- Pak djathë i thërrmuar
- Vaj ulliri
- kripë
Përgatitja e Mbushjes
Pasi e lajmë preshin mirë me ujë të bollshëm, e grijmë në rrathë të vegjël dhe e hedhim në tenxhere.
Shtojmë kripë, dy lugë vaj ulliri, dhe një gotë me ujë.
E lëmë zjejë derisa të zbutet e uji të avullojë.
Për ta bërë mbushjen me presh pak kremoze e më të shijshme, në fund, në një tas të vogël hedhim kosin dhe shtojmë aty një lugë gjellë e pak miell gruri.
E trazojmë bashkë me kosin derisa të bëhen një masë e trashë dhe e hedhim në tenxheren ku kemi preshin.
Përzjejmë masën derisa të bëhet e njëtrajtshme dhe shtojmë edhe djathin e thërrmuar.
Kur Petat i Hollojmë Vet
Si fillim përgatisim brumin. Brumin e zëmë me pak kripë dhe ujë të ngrohtë derisa të formohet. Sekreti i përgatitjes së brumit të mirë qëndron tek përpunimi me duar.
Pasi kemi përfunduar brumin e mbulojmë me një pecetë dhe e lëmë të pushojë përreth 30 minuta.
Pasi brumi të jetë gati e ndajmë në 10 kuleçë të vegjël dhe nisim hapjen e petave.
Në tepsinë e lyer me vaj ulliri, shtrojmë tre petat e para duke u hedhur secilës nga disa pika vaj ulliri.
Më pas shtrojmë pjesën e parë të mbushjes me presh.
Vijojmë me shtrimin e dy petave të tjera dhe më pas hedhim sërish një pjesë të mbushjes me gjizë e qepë.
Pas kësaj, sërish shtrojmë dy peta të tjera duke i spërkatur gjithmonë me disa pika vaj ulliri.
Hedhim dhe pjesën tjetër të mbushjes dhe vijojmë shtrimin e dy petave të tjera.
Hedhim edhe pjesën tjetër të mbushjes me presh dhe më pas shtrojmë tre petat e fundit duke u sërish disa pika vaj ulliri.
Byrekun e pjekim në furrë në 180 gradë për 20-30 minuta deri sa të marrë pjekjen e duhur.
Në fund të përgatitjes, pasi byreku është pjekur e nxjerrim nga furra dhe e lyejmë me një lugë gjalpë fshati.