Receta e shijshme e jahnisë me mëlçi
PËRBËRËSIT
- 500 gr mëlçi
- 4-5 kokrra qepë
- 1 spec të kuq
- 1 spec jeshil
- 3-4 lugë gjelle vaj ulliri
- Verë e bardhë
- 2-3 thelpinj hudhër
- Kripë, piper i zi
- Dafinë, majdanoz,
PËRGATITJA
Pasi të keni pastruar mirë mëlçitë lërini ato në një pjatë duke i marinuar me pak kripë dhe piper të zi.
Ndërkohë grini qepët në fije jo shumë të holla.
Në zjarr vendosni një tigan me vaj ulliri dhe sapo të ngrohet hidhni aty qepën që të skuqet lehtë.
Lëreni qepën në zjarr derisa ngjyra e saj të bëhet transparente dhe volume të bjerë.
Tani është momenti që të shtoni mëlçitë, të cilat nëse dëshironi mund t’i prisni në copa pak më të vogla.
Skuqini duke i kthyer herë pas here në të dyja anët me ndihmën e një piruni.
Pasi të keni prerë specat në kubikë të vegjël t’i hidhni tek tigani bashkë me erëzat për t’i dhënë shije përbërësve.
Pasi të shihni që mëlçitë të kenë përtharë lëngun e tyre, shuajini me uthull të bardhë ose verë.
Në fund shtoni edhe hudhrat e shtypura ose të grira imët dhe majdanozin.
Lëreni në zjarr edhe për pak minuta dhe më pas largojeni dhe lëreni të mbuluar me kapak.
Kapaku është një pjesë e rëndësishme e përgatitjes së kësaj recete pasi mban të buta mëlçitë për më gjatë.
Mëlçitë e përgatitura kështu mund t’i shoqëroni me oriz të thjeshtë, patate furre apo të skuqura, por edhe thjeshtë me sallata.