Reduktimi i tarifës vjetore të “kartonit jeshil” nxit daljet drejt Malit të Zi

Që nga hyrja në fuqi më 1 shkurt e vendimit për siguracionin njëvjeçar të reduktuar në 50 euro për automjetet shqiptare që hyjnë në Mal të Zi, vërehet një rritje e ndjeshme e qarkullimit në të gjitha pikëkalimet kufitare mes dy vendeve.
Sipas të dhënave nga agjencia e sigurimeve që ofron kartonin jeshil, vetëm gjatë ditës së shtunë janë shitur rreth 100 kartonë jeshilë për autoveturat me targa shqiptare, që hyjnë në territorin malazez.
“Kemi pasur shumë shitje, sepse ka shumë punëtorë që lëvizin në Malin e Zi. Ka që kanë miqësi dhe lëvizin shumë shpesh. Ata kanë leverdi ta presin për një vit,” thotë agjenti i sigurimeve Xhabir Molla.
Sipas të dhënave nga Policia Kufitare në Muriqan, vetëm gjatë kësaj fundjave nga kjo pikë kufitare kanë kaluar rreth 13.000 shtetas vendas dhe të huaj me afro 4,600 automjete.
Qytetarët shqiptarë që udhëtojnë me autoveturat e tyre drejt Malit të Zi mund të pajisen me karton jeshil në të katra pikat kufitare me shtetin fqinj.
Ky siguracion ofrohet vetëm nga agjencitë shqiptare të sigurimeve.