Reforma e pagave, Denaj: Premtim i mbajtur, prek 1770 punonjës të Ministrisë së Bujqësisë
“Reforma e pagave në administratën publike është një hap strategjik për të modernizuar sektorin publik”, kështu ka deklaruar Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj e cila shprehet se qeveria ka mbajtur premtimin për paga dinjitoze për punonjësit.
Ajo shprehet se 1770 punonjës të institucionit që ajo drejton, ndikohen drejtpërdrejtë nga reforma e pagave në administratën publike.
Ministrja ka renditur dhe efektet e vendimit të qeverisë.
“Premtim i mbajtur, paga dinjitoze për punonjësit!
Reforma e pagave në administratën publike ka një ndikim të drejtpërdrejtë në 1770 punonjës të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe në institucionet e varësisë.
Efekti i këtij vendimi përfshin:
- Mesatarisht 13% rritje për 71% të strukturave, përfshirë veterinerët, agronomët, inspektorët, zooteknikët etj..
- Rikualifikimi i pozicioneve drejtuese prek 6% të strukturave dhe zbut hendekun në shpërblim të punës.
- Shtesë fikse për punonjësit mbështetës për natyrë të veçantë pune, ku përfitojnë 19% e punonjësve shtesë.
Reforma e pagave në administratën publike është një hap strategjik për të modernizuar sektorin publik, për të mbajtur dhe tërhequr talentet më të mira në administratë, çka është thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm”, shkruan Denaj në rrjetet sociale.