Reforma e pronës dhe të përndjekurit, Basha nxjerr propozimet: Pjesë e axhendës kur të vij në pushtet
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka publikuar sot propozimet e grupimit politik që ai drejton lidhur me të përndjekurit dhe reformën e pronës.
Në takimin me grupet e punës, Basha ka prezantuar platformën e tij për fushat përkatëse të cilat i janë komunikuar opinionit publik përmes Gjergji Hanit, Besart Logut dhe Kristina Kasos.
Nga ana e tij Basha e cilësoi përmbushjen e reformës së pronës si “dita e parë e shqiptarëve të lirë, është dita e parë e Shqipërisë europiane.”
“Marrim përsipër brenda 2 viteve të para të qeverisjes tonë, krijimin e obligacionit për pronarët me vlerën e plotë të tregut për të gjithë pronat e shpronësuara të regjimit komunist të pagueshme çdo vit në masën 1/20, të tregtueshme që nga moment i emetimit, emetimi me vlerë të plotë i obligacionit të shtetit shqiptarë për të gjithë pronarët e shpronësuar të Shqipërisë.
Për të gjithë ata të shpronësuar nga regjimi komunist, për të gjithë ata që e shohin por nuk e prekin dot pronën për shkak të 7501, për të gjithë ata të cilët pronën e kanë parë të zënë e të zhvilluar gjatë procesit të ndërtimeve informale, me një të rënë ne do të marrim përsipër jo vetëm barrën financiare të konsiderueshme por dhe zgjidhjen e problemit të titujve sipas parimit kush e ka e gëzon, kujt i është zënë do të shpërblehet me vlerën e tregut me obligacionin shqiptar për pronarët.
Dita kur ky akt, kur kjo reformë e munguar do të përmbyllet, është dita e parë e Shqipërisë së zhvilluar, është dita e parë e shqiptarëve të lirë, është dita e parë e Shqipërisë evropiane,” u shpreh Basha në fjalën e tij në Kuvendin Programor.