Reforma Zgjedhor, Alibeaj takon ambasadoren në Detyrë të Prezencës së OSBE/ODIHR në Shqipëri, Clarisse Pasztory
Bashkëkryetari i komisionit bipartizan të Reformës Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj zhvilloi të martën një takim ambasadoren në Detyrë të Prezencës së OSBE/ODIHR në Shqipëri, Clarisse Pasztory.
Sipas një njoftimi për shtyp, Alibeaj informon se temë e diskutimit ishte procesi i Reformës Zgjedhore, i cili mbetet jetik për demokracinë e vendit.
“Në cilësinë e bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Alibeaj shprehu konsideratën për mbështetjen permanente të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri mbi procesin e Reformës Zgjedhore, në përputhje me frymën e parimeve kushtetuese, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe rekomandimeve të OSBE/ODIHR.”, thuhet në njoftim.
Ai siguroi se për Partinë Demokratike të Shqipërisë, Reforma Zgjedhore përbën prioritetin kryesor, e cila duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe transparente për shqiptarët, në mënyrë që t’i garantohet qytetarëve shqiptarë një proces zgjedhor i lirë dhe i drejtë, nëpërmjet listave të hapura, një zonë kombëtare zgjedhore, votim për qytetarët shqiptarë në diasporë dhe proces votimi dhe numërimi elektronik.
Gjithashtu, Alibeaj e falenderoi Pasztory për konsistencën në mbështetjen e vazhdueshme të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri mbi Reformën Zgjedhore dhe për ofrimin e vyer të asistencës teknike në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore.