Reforma Zgjedhore, ambasadori i BE: Duhet dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës
Ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato ka kërkuar dialog “konstruktiv dhe gjithëpërfshirës” për Reformën Zgjedhore. Komentet Gonzato i bëri nga Gjirokastra, teksa tha se Reforma Zgjedhore është një temë që i përket të gjitha palëve, jo vetëm maxhorancës dhe opozitës.
Ai theksoi se për BE është shumë e rëndësishme që Shqipëria të ndjekë rekomandimet e OSBE-ODIHR.
“Për ne është shumë e rëndësishme që Shqipëria të ndjekë rekomandimet e OSBE-ODIHR të cilat duhet të ndiqen dhe të merren në konsideratë nga ju, pasi kështu funksionon demokracia konstruktive, me dialog. Reforma Zgjedhore është një temë e cila i përket të gjitha palëve, jo vetëm pozitës apo opozitës. Për reformën zgjedhore besoj se është shumë e qartë, është e shkruar e zeza në të bardhë në raportin e vjetor të BE. Për një reformë elektorale/zgjedhore duhet një dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës. Nuk besoj se mund të jem më i qartë se kaq”, u shpreh ai.
Ambasadori i BE ishte i pranishëm në Gjirokastër këtë të martë (16 janar) sëbashku me ministren Mirela Kumbaro, ku prezantuan projektin për trajtimin e mbetjeve të ngurta në qarqet Gjirokastër, Kukës dhe Vlorë.