Reforma Zgjedhore, Basha: Komisioni mblidhet së shpejti, duam Kod pa hile
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka bërë të ditur se Komisioni për Reformën Zgjedhore do të nis punën së shpejti për të plotësuar boshllëqet që ka aktualisht në Kodin Zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.
Teksa ka falënderuar partnerët ndërkombëtar për mbështetjen që i japin reformës zgjedhore, Basha thekson se ka ardhur koha që “shqiptarët të kenë një Kod Zgjedhor pa hile”.
“Në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë përsëris mirënjohjen time për mbështetjen që partnerët strategjikë të Shqipërisë, SHBA, BE dhe MB si edhe OSBE-ODIHR i japin procesit të reformës zgjedhore në Shqipëri. Falë edhe kësaj mbështetje, pas një periudhe të gjatë heshtjeje, Komisioni për Reformën Zgjedhore pritet të nisë punën së shpejti. Listat e hapura, barazia e votës, vota e diasporës dhe votimi dhe numërimi elektronik janë prioritetet e Partisë Demokratike të mishëruara në paketën e propozimeve ligjore të depozituara në Kuvendin e Shqipërisë. Koha për t’ju dhënë shqiptarëve një Kod Zgjedhor pa hile dhe pengesa për lirinë dhe barazinë e votës”, shkruan Basha në Facebook.
Një ditë më parë dy bashkëkryetarët e komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri nga PS-ja dhe Enkelejd Alibeaj nga PD-ja i dërguan letër OSBE ku kërkuan ndihmën e saj në këtë proces nëpërmjet ekspertëve.
Edhe kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi i ka dërguar letër kryetarëve të partisë ku i kërkon të plotësojnë boshllëqet në ligj lidhur me herësin dhe votën e emigrantëve, ndryshime që duhet të behën të paktën një vit para mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme.