Reforma Zgjedhore, drafti për listën e kandidatëve për deputet dhe shpërndarjen e mandateve

Debati në komisionin parlamentar të ligjeve po zhvillohet mbi dy tema mjaft delikate  që kanë të bëjnë me listën e kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive politike, si dhe shpërndarja e mandateve për kandidatët fitues të listës

Lidhur me listën e kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive politike propozimi i bërë në draftin që është ofruar për konsensus mes palëve ka të bëjë me faktin se partia politike ose koalicioni zgjedhor, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve: a) listën shumë emërore të fiksuar të kandidatëve; dhe b) listën shumë emërore të kandidatëve që i nënshtrohen votimit para pëlqyes.

Sipas propozimit, emrat në listën shumë emërore të fiksuar të kandidatëve të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një.

“Për koalicionet përbri emrit të kandidatit shënohet cilës parti i përket kandidati. Numri i përgjithshëm i kandidatëve në listën e fiksuar është i barabartë me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore pjestuar për tre. Në rast se nga ky pjestim nuk rezulton numër i plotë mandatesh atëherë në rast se presja dhjetore si pasojë e pjestimit është e barabartë ose më e madhe se 0,5 lista përmbyllet me numrin e plotë pas rendës, ndërsa kur si pasojë e pjestimit rezulton presja dhjetore më e vogël se 0,5 lista shumë emërore e fiksuar e kandidatëve mbyllet me numrin e plotë pararendës.”, thuhet në draft.

Lista shumë emërore e kandidatëve që i nënshtrohen votimit para pëlqyes nga zgjedhësit është e barabartë me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore.

Renditja e kandidatëve bëhet sipas rendit alfabetik të mbiemrit për secilin prej tyre.

Drafti parashikon që kandidati për deputet, i regjistruar në një listë shumë emërore në një zonë zgjedhore, nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish.

“Kandidati për deputet, i regjistruar në listën e fiksuar të partisë politike apo koalicionit nuk mund të jetë njëkohësisht edhe në listën shumë emërore të kandidatëve për deputetë që i nënshtrohen votimit para pëlqyes. Për çdo zonë zgjedhore në zgjedhjet për Kuvendin një çdo tre emra të kandidatëve të listës së fiksuar i përket gjinisë më pak të përfaqësuar dhe një në çdo tre emra të listës shumë emërore që i nënshtrohet votimit para pëlqyes duhet t’i përkasë gjinisë më pak të përfaqësuar.”, thuhet në dokument.

Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, kandidati për kryetar të bashkisë dhe lista e kandidatëve për këshillat vendorë regjistrohen në KZAZ-në që mbulon njësinë e qeverisjes vendore brenda afatit të përcaktuar në këtë pikë. KZAZ-ja dorëzon një kopje të listës në KQZ brenda 48 orëve. Kandidati për kryetar të bashkisë dhe lista e kandidatëve për këshillat vendorë depozitohet në KQZ në rastet kur territori i njësisë së qeverisjes vendore nuk mbulohet nga një KZAZ e vetme.

“Kandidati për kryetar bashkie apo për këshillin e bashkisë nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish. Në zgjedhjet për këshillat bashkiakë një në çdo dy emra të njëpasnjëshëm në renditje të kandidatëve të subjekteve zgjedhore duhet t’i përkasë së njëjtës gjini. Në rast mos përmbushjeje të njërit prej kushteve të parashikuara në këtë nen, në lidhje me përbërjen e listës shumë emërore KQZ-ja zbaton sanksionet e parashikuara në nenin 175 të këtij Kodi.”, thuhet në draft.

Shpërndarja e mandateve për kandidatët fitues të listës

Menjëherë pas përfundimit të llogaritjes së rezultatit, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për kandidatët fitues për secilin subjekt zgjedhor.

Kandidatët e listës shumë emërore që i nënshtrohen votimit para pëlqyes, thuhet në dokument, rirenditen në bazë të numrit më të lartë të votave para pëlqyese për secilin kandidat.

Kur numri i votave është i barabartë, renditja përcaktohet me short.

“Mandatet për kandidatët fitues fillimisht shpërndahen sipas renditjes së listës shumë emërore të fiksuar të subjektit zgjedhor dhe në përputhje me renditjen e kandidatëve në të, dhe në rast shterimi të saj vijohet me kandidatët fitues të rirenditur të listës shumë emërore që i nënshtrohen votimit para pëlqyes sipas pikës 2 të këtij neni. Përllogaritja dhe shpërndarja e mandateve, sipas nenit 162 dhe këtij neni, për çdo zonë zgjedhore miratohet me vendim. Vendimi miratohet për çdo zonë zgjedhore më vete. Ndaj vendimit mund të bëhet ankim administrativ në KAS.”, theksohet në dokumentin që nëse merr dakordësi nga palët do të dërgohet për votim në Kuvend.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.