Reforma Zgjedhore, drejt dështimit dialogu mes PS dhe PD për ligjin e zgjedhjeve
Siç RTSH e kishte paralajmëruar dy javë më parë, dialogu mes qeverisë dhe opozitës për Reformën Zgjedhore po shkon drejt dështimit. Grupi i Dialogut, që u mblodh sot në kryesinë e Kuvendit, nuk arriti asnjë rezultat. Sipas afateve që kishin përcaktuar vetë, deputetët duhej që pas tre ditësh të dorëzonin draftin e parë për Kodin Zgjedhor, por një gjë e tillë nuk po ndodh.
Demokratët kërkojnë kthimin tek marrëveshja e 5 qershorit të vitit 2020, një gjë qe për socialistët është e pamundur, madje në mbledhjen e sotme përfaqësuesit e PS-së e kanë kundërshtuar një gjë të tillë kategorikisht.
Damian Gjiknuri, pas mbledhjes, tha se priste që opozita të reflektonte sepse, sipas tij, marrëveshja e katër viteve më parë nuk mund të vihet si kusht nga opozita, pasi është e ezauruar. PS, sipas burimeve, kërkon të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese që lidhen me diasporën, llogaritjen e mandateve të deputetëve dhe pragun elektoral.