Reforma zgjedhore, OSBE/ODIHR: Palët të angazhohen për konsultime të hapura dhe gjithëpërfshirëse
“Nisma e partive politike shqiptare për të rifilluar reformën zgjedhore, është zhvillim pozitiv”. Kështu e ka vlerësuar Misioni i OSBE/ODIHR në Tiranë rifillimin e punës së Komisionit për Reformën Zgjedhore, para zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës.
“Nisma e autoriteteve shqiptare për të rifilluar reformën zgjedhore në vend përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 është një zhvillim i rëndësishëm dhe pozitiv në një proces që tashmë ka shërbyer si shembull i praktikës së mirë për rajonin dhe më gjerë”, thuhet në reagim.
Drejtori i ODIHR, Matteo Mecacci, u ka bërë thirrje partive politike shqiptare që të angazhoihen për konsultime të hapura dhe gjithpërfshirëse, në mënyrë që reforma të prodhojë rezultate për përmirësimin e procesit zgjedhor.
“Ne mirëpresim vendimin e autoriteteve shqiptare për të ripërtërirë angazhimin e tyre ndaj këtyre reformave jetike deri tani përpara zgjedhjeve. I nxisim të gjitha palët që të angazhohen për konsultime të hapura dhe gjithëpërfshirëse në muajt në vijim, duke siguruar që reformat që rezultojnë të përmirësojnë procesin zgjedhor për të mirën e të gjithë shqiptarëve”, tha ai.
Zyra e OSBE/ODIHR vë theksin te vendosja e synimeve praktike dhe të arritshme për zbatimin e rekomandimeve të mëparshme, si dhe adresimin e mangësive të vërejtura në zgjedhjet e shkuara.
Ndër prioritetet kryesore, renditet parandalimi i keqpërdorimit të burimeve publike, blerja e votave, sigurimi i fshehtësisë së votës, mbrojtja e lirisë së medias dhe rritja e efektivitetit të administratës zgjedhore.
“Pas diskutimeve të fundit mbi këtë temë, ODIHR ka marrë një ftesë nga parlamenti shqiptar për të mbështetur autoritetet kombëtare dhe ka ofruar mbështetje dhe ekspertizë teknike për të çuar përpara procesin e reformës.
Metodologjia afatgjatë e ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve përfshin një vlerësim të zbatimit të rekomandimeve të mëparshme. Misioni më i fundit i vëzhgimit i ODIHR-it në Shqipëri në vitin 2023 vlerësoi vazhdimin e rekomandimeve të Zyrës pas zgjedhjeve vendore 2019 dhe zgjedhjeve parlamentare të 2021. Raportet arritën në përfundimin se tre rekomandime ishin zbatuar plotësisht, shtatë të tjera kryesisht dhe 16 të zbatuara pjesërisht, ndërsa të tjerat mbeten ende për t’u adresuar”, thuhet në deklaratë.