Reforma Zgjedhore, Shehi propozon 4 pika: Të hiqet zullumnaja e komisionerëve që fusin duart
Kreu i Partisë “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar”, Dashamir Shehi ka propozuar 4 pika lidhur me ndryshimet në Reformën Zgjedhore, ku kërkon lista të hapura, votim elektronik, sistem proporcional kombëtar dhe votimin e emigrantëve.
Këto kërkesa Shehi i tha në mbledhjen online të Komisionit të Reformës Zgjedhore, ku u zhvillua një seancë dëgjimore me partitë e vogla.
Shehi tha se duhet bërë një ndryshim rrënjësor i sistemit për t’i kthyer besimin qytetarëve tek institucioni dhe jo të vazhdohet me arnime të vogla siç është bërë deri më sot.
“Unë jam për katër pikat, i kam dorëzuar në parlament dhe janë kërkesa që na përfaqësojmë ne. Mendimi im bazë është ky, që qytetarët shqiptarë duhet që të kenë një të drejtë proporcionale atje ku votojnë. Hiq Tiranën, ky ligj që kemi nuk funksion në qarqet e vogla pra ne jemi për proporcional kombëtar. Të bëhen 3 apo 4 zona të mëdha elektorale dhe kjo ka nuk nevojë për ndryshim kushtues që ky ligj të punojë kudo edhe për qarqe të vogla, si Gjirokastra apo Kukësi ku disa zona janë me 3 apo 4 deputetë dhe deformimi që del nga vota aty është shumë i madh. Një parti e vogël nuk mund të hyjë kurrë në garë atje. Në Gjirokastër duhet të marrë 30 % të votave dhe kjo është e pamundur. Jam për zgjerimin e zonave dhe shumë i lumtur për proporcional kombëtar do i jepte sens zgjedhjeve dhe përbën një ndryshim thelbësor dhe jo arnime.
Pika e dytë janë listat të hapen deri në fund dhe kjo ka brenda edhe proporcionalin dhe të hiqet herësi.
Pika e tretë është që votimi të bëhet elektronik. Mund të ndodhin probleme, por me komisionarë na kanë ndodh probleme, do të fusin duart dhe zgjedhjet i kontrollojnë ata që kanë komisionerët më të paguar, më të zotë dhe më shumë, të bëhet me elektronikë, të paktën në dy tre qarqe të mëdha këtë herë dhe në zgjedhjet e tjera është e mundshme në gjithë vendin. Duhet me pas kurajë që kjo punë të bëhet, kanë shkuar para publike sa të duash, ia vlen të harxhohen ca për këtë. Të bëhet elektronikë që të hiqet kjo zullumnaja e komisionarëve, është një histori e vjetër e Shqipërisë.
Pika e katërt jam për të votuar emigrantët, sistemi të ketë kurajën dhe ta bëjë votimin me postë elektronike edhe me postë me letër, ka miliona në botë që e bëjnë, kurse ne s’paskemi. T’ia japim mundësinë një blloku të madh shqiptarët që janë jashtë. Duhet gjetur një shteg që ta fillojmë këtë lloj pune, të krijohet një eksperiencë. Ky është një ndryshim rrënjësor i sistemit, ne duhet t’i kthejmë qytetarëve besimin te institucioni, prandaj duhet ndryshim radikal dh nuk shërbejnë më arnimet e vogla”, tha Shehi.
Komisioni i Reformës Zgjedhore ka vijuar të mblidhet online pas bllokimit të punës së saj nga deputetët e grupimit Bardhi-Berisha të cilët zënë karriget në sallë pasi nuk pranojnë që të kenë përfaqësues si bashkëkryetar Enkelejd Alibeajn.
Pas dëgjesës me shoqërinë civile, sot më 14 shkurt është zhvilluar edhe seanca dëgjimore me partitë e vogla.