Regjistri i trashëgimisë kulturore / Në vitin 2023 listës i janë shtuar rreth 9 mijë objekte
Viti që sapo lamë pas 2023, ka shënuar një rritje të ndjeshme të objekteve të regjistruara në Institutin Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore. Numri i tyre ka arritur shifrën e 15.166 objekteve. Në raport me vitin 2022 ku objektet e regjistruara ishin 6220 të tilla, vërehet një rritje e ndjeshme prej 8946 objektesh më shumë.
Lajmin e komunikoi në rrjetet sociale vetë Ministrja e Kulturës në vend, Elva Margariti. Në rrjetin social Facebook ajo njoftoi se po punohet për plotësimin e Regjistrit të Pasurive Kulturore në vend ku kompletimi i tij mbetet një ndër prioritetet e institucionit që ajo drejton duke shtuar se ky proçes do të vijojë edhe përgjatë këtij viti.
Tipologjia e objekteve që kanë pasuruar listën e Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore është e larmishme dhe përfshin objekte etnografike, arte pamore dhe objekte arkeologjike. Objektet e shtuara i përkasin disa institucioneve si: Muzeu Historik Kombëtar, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, Muzeu Arkeologjik Durrës, Muzeu Etnografik i Krujës. Lista e vitit 2023 është plotësuar po ashtu me objekte të tjera të trashëgimisë jomateriale si dhe me objekte të sekuestruara.
Me marrjen nën mbrojtjen e UNESCO-s të xhubletës dhe transhumancës, por edhe me shpalljen “kryevlera kombëtare” të veshjes së gruas mirditore, fyejve të Gramshit dhe valles devollite, trashëgimia jonë kulturore jomateriale po merr gjithnjë e më shumë vlerë dhe po promovohet gjithnjë e më shumë. Numri i regjistrimeve të elementeve të trashëgimisë kulturore jomateriale gjatë vitit 2023 ka qenë 95, ndërsa në vitin 2022 vetëm 7.
Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK) është ai që ka për detyrë krijimin, ruajtjen dhe përditësimin e Regjistrit Kombëtar të Pasurive Kulturore, në formë elektronike dhe të shkruar. Ai, në funksion të përmbushjes së misionit të vet, bashkëpunon me institucionet e shtetit shqiptar, organet e policisë, institucionet doganore si dhe institucionet ndërkombëtare në luftën kundër trafikimit të pasurive kulturore.