Regjistrim i popullsisë në Kosovë, Agjencia e Statistikave: Deri tani janë regjistruar rreth 900 mijë banorë, por serbët në veri hezitojnë
Rreth 900 mijë qytetarë të Kosovës janë regjistruar në katër javët e para të procesit të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë, që përmbyllet në datën 17 maj të këtij vit. E ndërsa vlerësoi se procesi po ecte sipas planit, kreu i agjencisë së statistikave të Kosovës Avni Kastrarti vuri në dukje se nga serbët në katër komunat në veri ka pasur një hezitim masiv për t’u bërë pjesë e censusit.
“Komuniteti serb ende heziton në mënyrë masive ka një regjistrim të disa ekonomive familjare, individëve por është numri i vogël në bazë të atyre që ne pretendojmë. Ne kemi pas diskutim me disa institucione ndërkombëtare dhe sigurisht ata do t’i transmetojnë atë që ne u kemi transmetu komunitetit serb në veri. Është një e mirë edhe për ata për të ditur numrin e tyre që jetojnë në ato komuna. Mospjesëmarrja në regjistrim nuk ekziston. I bëjë thirrje komunitetit serb se procesi nuk është aspak politik. Duhet ta dinë për shërbime kush jeton, çfarë strukture e popullsisë, çfarë statusi i punësimit, çfarë niveli i edukimit gjithë këta indikator vijnë nga regjistrimi. Është në të mirë të vetë komunitetit”, tha kreu i agjencisë së statistikave të Kosovës Avni Kastrarti.
Në katër komunat me shumicë serbe në veri, Lista serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës ka bërë thirrje për bojkotim të censusis, duke e cilësuar pjesëmarrjen në të si poshtërim për popullin serb.