Regjistrimet në universitet/ Mbi 16 mijë studentë zgjodhën degën, por ka kuota të lira
Është faza e parë e raundit të dytë të pranimeve në universitet dhe deri tani rezultojnë mbi 16 mijë studentë që e kanë bërë zgjedhjen e tyre.
Kuotat në degët e preferuara të studimit si mjekësi dhe arkitekturë janë ezauruar, por kanë mbetur ende vende të lira në programet e studimit që ofron Fakulteti Ekonomik, Shkencat e Natyrës, Juridiku dhe Gjuhët e Huaja.
“Universiteti i Tiranës ka akoma kuota në juridik, në disa programe të ekonomikut, informatika ekonomike po shkon drejt ezaurimit dhe informatika te Fakulteti i Shkencave të Natyrës. Eksperienca e viteve të kaluara ka treguar se mbi 95% e maturantëve arrijnë të regjistrohen brenda dy raundeve,” thotë Arjan Xhelaj, drejtor i Rrjetit Akademik Shqiptar
Ai sqaron se në këtë raund të dytë pritet edhe një rritje e interesit për programet 2-vjeçare të studimit.
“Realizimi i kuotave në programet 2-vjeçare është në masën 31%. Pritet që me raundin e dytë mund të ketë edhe maturantë, të cilët megjithëse kanë mesataren mbi 6,5 regjistrohen në programe 2-vjeçare kur ato ofrojnë çfarë ata duan,” shton drejtori Xhelaj.
Ashtu siç ka ndodhur çdo vit, edhe sivjet nuk mungojnë programe e studimit që rezultojnë me një numër shumë të vogël të të regjistruarve.
“Ka disa programe nëpër rrethe që mund të kenë pasur pak regjistrime, por është akoma shpejt. Janë edhe 6 mijë maturantë, që presin të regjistrohen dhe me ezaurimin e kuotave në programet e preferuara besoj do të fillojë regjistrimi në programet e tjera, që mbase nuk do ishin preferenca e parë, por të afrojnë me tregun e punës,” thotë drejtuesi i Rrjetit Akademik Shqiptar.
Pas raundit të dytë do të ketë edhe një fazë të hapur regjistrimesh, e cila përmbyll të gjithë procesin e pranimeve në universitet në fund të muajit tetor.