Regjistrimi banesave para viteve ’90, Pjetri: Proces jo kompleks, VKM-ja e 2020-ës i jep zgjidhje kësaj problematike
“Procesi i regjistrimit të banesave të ndërtuara para viteve ’90-të, është i thjeshtë”, kështu ka deklaruar në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” eksperti për trajtimin e pronave, Valdrin Pjetri.
Ky i fundit shpjegoi dhe mënyrën e aplikimit për të gjithë qytetarët për t’u pajisur me një certifikatë pronësie dhe për regjistrimin e objekteve të tyre.
Ai theksoi se vendimi i Këshillit të Ministrave 827 i 2020-ës, i jep zgjidhje të gjitha problematikave me regjistrimin e banesave të para viteve ’90.
“Kjo është një problematikë dhe shqetësim për të gjithë qytetarët që posedojnë një banesë para viteve ’90, por s’kanë dokument pronësie.
Vendimi i Këshillit të Ministrave të 2020-ës, i jep zgjidhje qytetarëve, pronarëve që kanë një shtëpi të tullë në posedim të ndërtuar para viteve ’90 por deri më sot nuk e kanë të certifikuar.
Vendimi i 827 i 2020-ës i jep përgjigje këtyre pyetjeve. Aty fillohet me një aplikim në E-Albania duke dërguar dokumente që VKM i saktëson, dhe me të nisur procedurat vendimi qartëson koha që procedura kërkon nga momenti i aplikimit deri në momentin e certifikimit të pronës, pajisjen me dokument pronësie.
Flasim për ndërtimet e bëra para ’90 ku qytetarët nuk janë pajisur me dokumente pronësie, por pas kalimit të viteve, qytetari kishte pronën por nuk kishte dokumentin. Këto specifika janë në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Së fundmi është kthyer në trend biznesi i bujtinave. Janë ndërtime të vjetra mbase edhe 100-vjeccare ku kultura dhe mundësia për të pasur dokument pronësie nuk ka qenë”, u shpreh Pjetri.
Eksperti për trajtimin e pronave deklaroi më tej se kthimi i banesave në bujtina gjatë viteve të fundit është kthyer në një trend. Në lidhje me këtë konstatim të tij, Pjetri shprehet se pronarët e këtyre objekteve nuk mund të kryejnë asnjë restaurim apo rrethim, nëse nuk pajisen më parë me një certifikatë pronësie.
“Një shtëpi e vjetër që dikush e posedon dhe sot lind nevoja që do ta kthejë në bujtinë, pronarët e këtij objekti duhet ta restaurojnë, apo duhet të marrin një leje rrethimi dhe pa certifikatë pronësie nuk pajiset me leje restaurimi apo rrethimi.
Thjesht duhet të vërtetohet posedimi i objektit ndër vite. Kërkesa për tu pajisur me titull pronësie.
Ky është moment që pas vitit 2020 kishte interes për përdorimin e kësaj VKM-je.
Me këtë procedurë që zgjat rreth 3 muaj, 10 ditët e para është momenti i kërkesës, më pas afishimi publik, gjatë këtij afishimi nëse s’ka pretendime të ndritura nga palë të treta, ASHK-ja vijon me lëshimin e titullit të pronësisë e më pas regjistrimin. Nuk është proces kompleks”, sqaroi ai.