Rehabilitimi i kanaleve kulluese / Aktualisht po punohet në NjA Dajç me një rrjet kullimi prej 25 mijë metrash

Puna e Bashkisë Shkodër, për pastrimin dhe rehabilitimin e kanaleve kulluese, është përqendruar aktualisht në Njësinë Administrative të Dajçit.
Deri më tani, në këtë zonë janë pastruar rreth 7,500 metra linear kanale, ndërkohë që ndërhyrjet do të shtrihen në të gjithë territorin e njësisë, e cila ka një rrjet kullues prej rreth 25 mijë metrash linear.
Banorë dhe drejtues të Njësisë Administrative të Dajçit e vlerësojnë këtë proces si mjaft efikas, pasi ndihmon në parandalimin e përmbytjeve dhe përmirësimin e prodhimit bujqësor.
Pas Dajçit, pastrimi i kanaleve kulluese do të vijojë në Njësinë Administrative të Velipojës.
Ky aksion ka nisur që në vjeshtën e vitit të kaluar dhe deri më tani është realizuar rehabilitimi i rrjetit kullues në pesë njësi administrative, me një ndërhyrje në rreth 72 mijë metra linear kanale.