Rehabilitimi i merkatës së Rusit – Kryetari i Bashkisë inspekton punimet, i kënaqur me ecurinë
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka inspektuar punimet që po bëhen në tregun e Rusit, për të cilat po punohet me ritme të larta në mënyrë që të përfundohet sa më shpejt dhe tregtarët të kthehen në këtë treg, tashmë me kushte optimale. Ai u shpreh i kënaqur me ecurinë e derimëtanishme të punimeve për këtë investim të rëndësishëm për Shkodrën.
Ky investim kap shifrën e 36.6 milion lekëve, nga të cilat 7.5 milion lekë janë bashkëfinancim i Bashkisë me AZHBR. Ky reabilitim i merkatës Rus, do të shërbejë për të përmirësuar kushtet për tregtarët dhe blerësit, duke ju krijuar një ambient funksional, higjenik dhe duke siguruar mbrojten nga faktorët atmosferik. Me anë të këtij projekti do të bëhet e mundur, ndërhyrja në sistemimin e sheshit, ndërtimin e mbulesës së merkatës, ndriçimin e tregut, përmirësimin e kushteve të tregtimit dhe ruajtjen e produkteve.