Rekomandohet heqja e vetos – PE votoi ndryshimin ligjor në favor të vendeve kandidate
Parlamenti Europian është shprehur përmes një rezolute se besueshmëria e Bashkimit Europian po dëmtohet nga mungesa e suksesit në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
PE-ja i bëri thirrje Bashkimit Europian që të ndryshojë qasjen në dialog në mënyrë që të ketë përparim.
“Ftojmë BE-në që të miratojë një qasje të re në ndërmjetësimin mes palëve në mënyrë që të tejkalohet ngecja aktuale. Rikujtojmë se dështimi i këtij dialogu po ashtu do të reflektojë në rolin e BE-së si një faktor i besueshëm në politikën e jashtme”, thuhet në tekstin e këtij raporti.
Në rezolutën e miratuar për rezultatet e politikës së jashtme dhe të sigurisë BE-së, përmes së cilit flet për nevojën e rritjes së ndikimit të BE-së në botë dhe për një qasje më të vendosur edhe ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, PE-ja gjithashtu paralajmëron Kosovën dhe Serbinë edhe për pasoja nëse mungon zbatimi i marrëveshjeve të dialogut.
“Ftojmë Kosovën dhe Serbinë që t’i përkushtohen dialogut me besim të mirë dhe frymë të kompromisit në mënyrë që, pa vonesa, të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, bazuar në njohjen e ndërsjellët, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare” thuhet në një pikë të këtij raporti.
Parlamenti Europian tha po ashtu në rezolutë se “ndien keqardhje për masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës dhe se fton institucionet e unionit për heqjen urgjente të tyre”.
Raporti po ashtu përshëndet aplikimin e Prishtinës për anëtarësim në BE dhe kërkon nga Komisioni që të përgjigjet ndaj këtij aplikimi.