Renato Radoja, në “Histori Sportive” – Shkodrani që e shndërroi basketbollin në art
Histori Sportive, emisioni i përjavshëm në RTSH Shkodra, këtë radhë është ndalur tek sporti i basketbollit duke pasur si personazh kryesor, një prej më të mëdhenjëve të basketit për meshkuj, Mjeshtrin e Madh, Renato Radoja.
Krahas të tjerave, shkak për këtë është bërë edhe ditëlindja e 85-të, të cilën mjeshtri Radoja pati rastin ta festojë mes njerëzve më të afërt të familjes së tij, por duke pasur pranë edhe shoqërinë e afërt sportive, bashkohësit e tij të Vllaznisë, si dhe ato të ardhur enkas nga Tirana, pjesëtar të klubeve të 17 Nëntorit, Partizanit, Dinamos dhe kombëtares së Shqipërisë.
Një basketbollist që si askush tjetër ka kaluar plot 66 vite me sportin e basketbollit duke u shpallur kampion me tre klube të Shqipërisë, Vllazninë, 17 Nëntorin dhe Partizanin. Me rezultatet e arritura, Renato Radoja është fitues tre herë i Anketës shumë të rëndësishme për sportistët më të mirë të vitit, organizuar nga gazeta Sporti Popullor, përfshirja në pesëshen më të mirë të Shqipërisë në basketboll meshkuj, basketbollisti më i mirë i Ballkaniadës së vitit 1965, basketbollisti i shekullit për Shkodrën, Mjeshtër i Merituar Sporti, Mirënjohja e Bashkisë Shkodër, Mjeshtër i Madh nga Presidenca, e shumë tituj të tjerë nga federate e Basketbollit e më gjërë.
Renato është pjesë e një familje tipike sportive, duke nisur nga babai i tij, Shuk Radoja, xhaxhai, motra Terezina dhe dy vëllezërit e tij, përfshirë këtu edhe mjeshtrin e muzikës Robert Radoja. Vlerësimin për legjenden e gjallë të basketbollit meshkuj, Renato Radoja, e shprehin në emisionin “Histori Sportive” me shumë emocion bashkohesit e tij, ato të Vllaznisë, si dhe kolegët nga Tirana. RTSH Shkodra, do të vijojë të sjellë në ekranin e saj figura çdo të premte, figura të tjera sportive të Shkodrës dhe më gjërë.