Reportazhi i SKY Italia: Rritja dhe sukseset e futbollit shqiptar
Televizioni prestigjioz SKY Italia ka realizuar së fundmi një speciale mbi futbollin shqiptar dhe zhvillimin e madh që ka pasur në dy dekadat e fundit. “Një projekt në avangardë” është titulli i speciales së realizuar nga gazetari Paolo Ghisoni për programin “La Giovane Italia” në SKY, që ka pasur në fokus suksesin e Kombëtares me kualifikimin për në Euro 2024 dhe evolucionin e infrastrukturës sportive falë mbështetjes dhe vizionit të FSHF.
“Shqipëria ka arritur të zërë një vend mes të mëdhenjve të Europës dhe pas disa javësh debuton në Gjermani kundër kombëtares italiane. Me shumë prurje nga Italia, si Asllani, Gjimshiti, Bajrami, Berisha, Ramadani, që do të jenë shumë të dobishëm për Silvinjon në përgatitjen e ndeshjes.
Ndërkohë, kthehemi në bazë, e cila ka një strukturë avangarde, të shkëlqyer, kanë krijuar një organizatë të sistemuar, drejtuar dhe programuar nga profesionistë, por në sinkroni të plotë me një president të vëmendshëm ndaj detajeve më të vogla, ambicioz dhe njohës i thellë i futbollit kontinental”, – shkruan SKY.
Sakaq, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka tregon rrugëtimin e sektorit teknik të Federatës dhe Kombëtares shqiptare, që do të sfidojë në Grupin B të Europianit pikërisht Italinë, Kroacinë dhe Spanjën.
“Ndryshimi është i dukshëm në futbollin shqiptar, por mbetet ende punë për t’u bërë. Presidenti Duka e di mirë këtë dhe në analizën e tij për rritjen e sportit më të dashur për shqiptarët e vë theksin edhe te organizimi i mirë i Federatës Shqiptare të Futbollit. “Sipas meje, jemi në rrugën e duhur dhe futbolli në Shqipëri ka të ardhme të madhe. Në vitet e fundit kanë ndryshuar shumë gjëra në Shqipëri, pasi me punën e bërë nga të gjithë, së bashku me qeverinë shqiptare, kemi ndryshuar infrastrukturën, por duhet ende të bëjmë më shumë që të shkojmë aty ku duam.
Futbolli është sporti më i dashur në Shqipëri dhe fatmirësisht nuk kemi konkurrencë në sport, pasi të gjithë shqiptarët duan të bëhen futbollistë, prandaj që t’i kënaqim të gjithë, duhet të bëjmë më shumë. Gjëja që më bën më shumë krenar me Federatën është funksionimi shumë i mirë që ka, pasi janë krijuar baza të forta për të ardhmen. Me ketë staf kemi ndërtuar infrastrukturë, stadiumin “Air Albania”, “Shtëpinë e Futbollit, fusha sportive dhe shkollën e futbollit. Të gjitha këto i kemi arritur, pasi kemi krijuar një strukturë të fortë organizimi”.
Stadiumi “Air Albania” ishte përzgjedhur për intervistën dhe kreu i FSHF nuk mund të mos flasë për të. “Stadiumi është vepra më e bukur në Tiranë, jo vetëm nga ana sportive. Ky projekt ka nisur 7-8 vite më parë, ku ndërtimi nisi në 2017 dhe mbaroi në 2019. Arkitekti italian, Marco Casamonti, ka realizuar një projekt shumë të bukur dhe cilësor. Stadiumi është jo vetëm i bukur, por na ka sjellë shumë fat për kombëtaren, pasi në kualifikueset e fundit kemi arritur të jemi në vendin e parë në grup.
Të gjitha projektet që kemi zhvilluar vitet e fundit kanë ndryshuar për mirë futbollin në Shqipëri. Me këtë stadium, jo vetëm që kemi ndryshuar infrastrukturën e futbollit, por edhe këtë pjesë të Tiranës, pasi stadiumi është kthyer në një qendër tregtare dhe argëtimi, duke e bërë një zonë që jeton 24 orë. Është një stadium i bukur për lojtarët, stafin, tifozët, median, por edhe na ka sjellë fat të mirë”.
“Euro 2024” ishte gjithashtu në fokusin e Presidentit Duka: “Jemi shumë të kënaqur që jemi në Euro 2024, por edhe që luajmë kundër Italisë, Kroacisë dhe Spanjës. I ftoj të gjithë lojtarët dhe tifozët ta jetojnë këtë sukses që kanë arritur. Ne shkojmë atje për të luajtur, shkojmë për të dhënë më të mirën, por duke shpresuar edhe për rezultat pozitiv. Jemi të ndërgjegjshëm për nivelin e skuadrave që do të kemi përballë, por shpresojmë të rrimë në Gjermani sa më shumë të jetë e mundur”.
Me Italinë, kundërshtarin e parë në ndeshjet e grupeve në “Euro 2024” raportet janë shumë të mira. Kreu i FSHF, Duka, e thotë hapur që nga italianët mund të mësojnë shumë rreth futbollit, ndaj edhe shumë specialistë futbolli janë pjesë e stafeve kuqezi. “Ka shumë gjëra që mund të “vjedhim” nga Italia, nga Federata Italiane e Futbollit, pasi ka më shumë eksperiencë në futboll. Ndërkohë, nga futbolli italian, jo vetëm ne, por të gjithë mund të mësojnë shumë gjëra.
Shqipëria dhe Italia kanë një bashkëpunim natyral, i cili ka nisur para shumë vitesh, që në vitet ‘90, kur Shqipëria po kalonte një moment të vështirë dhe Italia hapi dyert për shqiptarët, një pjesë e madhe e të cilëve tashmë jetojnë në Itali. Ne e shohim futbollin italian si një vëlla të madh. Në Federatën Italiane janë të regjistruar rreth 15 mijë futbollistë shqiptarë, ndaj mund të themi që kemi një pjesë të mirë të lojtarëve tanë në Itali, pasi edhe shumë lojtarë të kombëtares luajnë në Serie A. Ne si federatë kemi bashkëpunuar gjithmonë me trajnerë nga Italia, si për shembull me Gianni De Biasi, me të cilin u kualifikuam në Euro 2016. Gjithashtu bashkëpunojmë edhe me lektorë për kurset e ndryshme që ne zhvillojmë, ku së fundmi kishim të ftuar Fabio Cannavaro-n”.
Kampioni i botës me Italinë, Favio Cannavaro, ishte i ftuar në Tiranë për të ndarë eksperiencën e tij me pjesëmarrësit e kursit UEFA PRO të organizuar nga FSHF. Ish-mbrojtësi i famshëm është surprizuar për mënyrën se si Federata Shqiptare e Futbollit ka mundur të investojë në një impiant avangardë siç është stadiumi “Air Albania” dhe kompleksi “Shtëpia e Futbollit”, teksa nënvizon rëndësinë që kanë fushat e futbollit.
“Jam i surprizuar, pasi nuk është e lehtë që një Federatë të investojë në qendra sportive dhe struktura, që përveç ekipit kombëtar, i shërbejnë edhe ekipeve të të rinjve. Mendoj që duhet të jetë normalitet që fushat të jenë të mira, në mënyrë që të zhvillosh një ndeshje cilësore”.
Edhe Tomas Danilevičius, ish-futbollist i njohur lituanez dhe aktualisht Këshilltar Teknik Rajonal i FIFA-s për Europën, konfirmon se Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara sa i përket strukturave futbollistike falë investimeve të rëndësishme të federatës Shqiptare të Futbollit dhe mbështetjes së UEFA-s.
“Në Shqipëri, të gjesh qendra të tilla me këtë nivel struktural, nuk është më surprizuese, pasi nën drejtimin e Presidentit Duka dhe investimet e UEFA-s dhe FIFA-s kanë ndërtuar një infrastrukturë shumë të mira. “Shtëpia e Futbollit” shërben për stërvitjet e kombëtares, zyrat e administratës dhe ndodhet shumë afër stadiumit. Shqipëria ka 4 stadiume të tjera të nivelit UEFA 4 dhe së shpejti do të jenë 3 stadiume të reja me siglën UEFA 4. Për një vend me popullsi 2.5 milionë banorë, mendoj se janë shumë mirë të strukturuar”.