Reshje shiu dhe dëbore në vend, ARRSH: Nuk kanë sjellë probleme rrugore, drejtuesit të ulin shpejtësinë
Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se reshjet e shiut në rajonin jugor dhe qendror të vendit nuk kanë sjellë probleme rrugore, në të cilat qarkullimi vijon normalisht. Sa i përket veriut, i cili është përfshirë nga bora, grupet e punës janë në terren me mjete për pastrimin e rrugëve.
Sakaq ARRSH i bën thirrje drejtuesve të mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.
“Në Rajonin Jugor dhe Qendror moti ka qenë i vranët me reshje shiu pa intensitet, pa sjellë probleme në akset rrugore, qarkullimi vijon normalisht.
Në Rajonin Verior ka pasur reshje dëbore me intensitet, grupet e punës janë në terren me mjete dhe punëtorë për pastrimin e rrugës dhe shpërndarjen e kripës, si në: Kukës-Krumë ,dhe Kukës-Ura e Zapotit, në segmentin rrugor Dushaj-Sheshi i Trageteve-Lekbibaj në lartësinë mbi 700m, në Qafë Thore, në Vau i Dejes-Pukë-Kukës,Fushë Arrëz-Qafë Mali-Kukës, Bajram Curri-Valbonë, Ura Bujan-Qafë Morinë-Tropojë-Shipshan-Sopot-Kërrnaje, Bajram Curri-Fierzë.
Drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së.