Reshjet dhe ngricat e vona në pranverë shqetësuese në pemëtoret, frenohet zhvillimi i frutave

Reshjet e ditëve të fundit të shoqëruara me një ulje të ndjeshme të temperaturave, kanë frenuar fazën e zhvillimit mbas lidhjes së frutit por nuk janë shënuar dëmtime të dukshme në frut. Bëhet fjalë për drufrutorët me mollë e qershi .
“Ne nuk kemi sisteme moderne të ngritura për mbrojtjen e pemëtoreve nga ngricat e vona në pranverë që janë bërë shqetësuese vitet e fundit. Mund të përdoren sistemet me mbulim anti-breshër që bëjnë një frenim të rrymave të ftohta të ajrit në një masë të caktuar, jo në masë totale, duke ulur ndikimin negativ të ngricave të vona në pranverë”, tha specialisti i pemtarisë, Nevjon Telha.
Ndërkohë specialisti këshillon fermerët që të marrin masa për luftimin e kromës.
“Fermerët të bëjnë trajtime kimike sidomos kundër kromës, pasi do kemi infeksione të mundshme në pemëtore. Me rritjen e reshjeve dhe lagështirës fermerët duket të kryejnë trajtimet për parandalimin e sëmundjeve të pemëtoreve”, tha ai.
Burime pranë Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor në Korçë bëjnë me dije se në Qarkun Korçë prodhohet rreth 5460 ton qershi dhe rreth 80 mijë ton mollë.