Reshjet e shiut, boshatiset plazhi/ Velipojë, dallgë të forta, mbyllen shezlonet…
Reshjet e shiut, boshatiset plazhi/
Velipojë, dallgë të forta, mbyllen shezlonet
Moti i keq me reshje shiu ka prishur fundjavën për pushuesit, ku një pjesë e tyre janë larguar nga plazhi i Velipojës. Çadrat dhe shezlonet u mbyllen në këtë fundjavë të parë të muajit gusht, ndërsa dhe deti ishte trazuar dhe me dallgëzim të lartë.Pranë çdo kulle vrojtimi u dha sinjali i kuq se nuk mund të futesh në det për shkak edhe të rrezikshmërisë që ka nga dallgët e forta. Më së shumti e shtuna u shfrytëzua për foto në breg të detit apo një xhiro në pedonale ku shoqëruese ishin edhe reshjet e shiut. Një pjesë e pushuesve qëndruan në banesa dhe hotele, por nuk munguan as ata që u larguan nga kjo zonë turistike. Moti i keq me stuhi dhe reshje të dendura shiu, vjen pas një periudhe të gjatë me temperatura të larta të cilat arritën deri në 40 gradë celsius. Ndërkohë moti i paqëndrushem pritet ta shoqërojë vendin tonë gjatë gjithë kësaj fundjave, duke dhënë impakt mjaft negativ për turizmin pikërisht në pikun e sezonit.