Reshjet përmirësojnë situatën hidrike, liqeni i Fierzës në kuotën 270 m
Përgjatë vitit 2024, stina e pranverës dhe vera rezultuan me mungesë reshjesh dhe temperatura të larta, duke krijuar thatësira, por edhe vjeshta kishte moti jo të favorshëm, sidomos për situatën hidrike në liqenin e Fierzës.
Nisur nga kjo gjendje, hidrocentrali i Fierzës gjatë vitit që lamë pas e reduktoi prodhimin e energjisë elektrike, duke u bazuar më tepër te importet për furnizimin me energji të vendit.
Ndërkaq muaji dhjetor i vitit të shkuar riktheu reshjet e shiut dhe dëborës, duke sjellë ndikim të menjëhershëm pozitiv në liqenin e Fierzës.
Aktualisht, niveli i ujit në Fierzë ndodhet në kuotën mbi 270 m mbi nivelin e detit, ndërsa prurjet e ujit 200 m3 në sekondë.
Shkrirja e dëborës dhe reshjet, që parashikohen të bien përgjatë muajit janar, pritet të kenë ndikim në liqen dhe ta afrojnë nivelin afër pikës maksimale prej 296 m.
Edhe pse kjo periudhë është e favorshme sa i përket kushteve të motit, hidrocentrali i Fierzës ende po prodhon energji elektrike me kapacitet të reduktuar, me një nga katër turbinat, me qëllim ruajtjen e rezervës hidrike.
Të dhënat nga Enti Rregullator i Energjisë tregojnë se në periudhën janar–tetor 2024 u prodhua rreth 6,36 milionë megavat-orë energji apo 0,74 milionë megavat-orë më pak se në 10-mujorin e vitit pararendës.
Ndërsa gati 4 milionë euro/javë shpenzoi Korporata Elektroenergjetike Shqiptare për të blerë energji për periudhën 23–29 dhjetor 2024. Situata në sektorin hidrik pritet ta rikthejë edhe KESH-in te eksportet.