Restaurim i pjesshëm tek “Pashko Vasa” – DRTK :Brenda 2025, pritet të nisë dhe zbatimi i projektit për restaurimin e plotë

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ka nisur prej disa ditësh punimet mirëmbajtëse dhe restauruese, në shtëpinë e Pashko Vasës, një nga objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Shkodër.
Punimet janë fokusuar si në fasadën e jashtme ashtu edhe në disa ambiente të brendshme që kishin pësuar dëmtime dhe kërkonin ndërhyrje emergjente.
Specialistët e DRTK Shkodër theksojnë se punimet po realizohen duke respektuar teknikat e vjetra të restaurimit, me qëllim ruajtjen e autenticitetit të kësaj ndërtese historike.
Shtëpia, e cila ka një histori mbi 300-vjeçare, është e njohur jo vetëm si vendlindja e Pashko Vasës, por edhe si selia e degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Pavarësisht rëndësisë së saj historike dhe turistike, prej vitesh nuk është ndërhyrë në mirëmbajtjen e saj, çka ka sjellë degradimin e objektit.
Me këtë restaurim të pjesshëm synohet parandalimi i dëmtimeve të mëtejshme, ndërsa pritet të nisë dhe zbatimi i projektit të plotë për restaurimin e kësaj pasurie të rëndësishme kulturore.