Restaurimi i Xhamisë së Plumbit, rikthim i shkëlqimit duke ruajtur vlerat unike të monumentit

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bëri me dije se puna për restaurimin e Xhamisë së Plumbit po vijon me përkushtim për të ruajtur vlerat unike të këtij monumenti historik.
Me ndërhyrje delikate dhe teknika të avancuara, synohet t’i rikthehet shkëlqimi i saj i dikurshëm, duke respektuar autenticitetin arkitektonik dhe historinë që mbart.
Ndërhyrjet do t’i japin rëndësinë e duhur çdo detaji pasi çdo gur tregon një histori.
Në fokus të ndërhyrjes restauruese është stabiliteti i strukturës, ringritja e minaresë dhe mbrojtja ndaj faktorëve natyrorë.
Xhamia e Plumbit ose Xhamia e Mehmet pashë Bushatit është një xhami historike dhe Monument Kulture, Kategoria I. E ndërtuar më 1773-1774, është nga ndërtesat e vjetra më me vlera si dhe xhamia osmane më e madhe në të gjithë vendin.