Rezoluta në OKB, udhëheqësi i Hamasit: Izraeli është i izoluar
Udhëheqësi i Hamasit ka deklaruar se votimi i së hënës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së tregon se Izraeli është në izolim të paprecedentë.
Sipas agjencisë zyrtare e lajmeve iraniane IRNA, Haniyeh ka theksuar se izolimi i Izraelit tregon se Amerika nuk është në gjendje të imponojë vullnetin e saj ndaj komunitetit botëror – duke iu referuar statusit të SHBA-së si aleati më i fortë i Izraelit.
Haniyeh shton se qëndrimi i Izraelit demonstron “rezistencën unike të Hamasit dhe popullit palestinez”.
Duke folur për përmbajtjen e rezolutës së Këshillit të Sigurimit, e cila kërkon një armëpushim të menjëhershëm gjatë muajit të Ramazanit dhe lirimin e pakushtëzuar të pengjeve izraelite, Haniyeh thotë se rezoluta ka disa “mangësi”.
Ndërkaq, Izraeli ka akuzuar Hamasin – i cili kontrollon Rripin e Gazës – se ka bërë kërkesa “delirante” mbi negociatat e armëpushimit. Ndërkohë zyra e mediave qeveritare të Gazës ka bërë të ditur se 18 palestinezë janë vrarë gjatë përpjekjes për të marrë ndihmat e nevojshme që u hodhën mbi Gazën veriore.
12 persona u mbytën kur shkuan në det për të marrë pakot ushqimore ndërsa 6 të tjerë u shkelën për vdekje gjatë përpjekjeve për të marrë ndihmat e hedhura nga ajri.