Rezoluta për armëpushim humanitar në Gaza pritet të kalojë në OKB, SHBA kërcënon me veton
Vendet arabe në OKB riafirmuan mbështetjen e tyre për projekt-rezolutën algjeriane, e cila bën thirrje për një armëpushim humanitar në Gaza. Marrëveshje që pritet të votohet në OKB, por SHBA ka thënë se do të vendosë veton dhe nuk do e miratojë një marrëveshje të tillë.
SHBA thotë se po punon me për një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit, e cila do të shihte lirimin e pengjeve dhe do të sillte një pauzë në luftimet për të paktën gjashtë javë.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara Linda Thomas-Greenfield tha se propozimi algjerian mund të rrezikojë “negociatat e ndjeshme” që synojnë ndërmjetësimin e një pauze të luftës, ndërsa paralajmëroi se nëse ky propozim do të dilte për votim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nuk do të miratohej nga Uashingtoni.
“Gjatë javës së fundit, Presidenti Biden ka pasur telefonata të shumta me kryeministrin Netanyahu, si dhe me liderët e Egjiptit dhe Katarit, për të shtyrë përpara këtë marrëveshje. Megjithëse mbeten boshllëqe, elementët kryesorë janë në tryezë. Ne besojmë se kjo marrëveshje përfaqëson mundësinë më të mirë për të ribashkuar të gjithë pengjet me familjet e tyre dhe për të mundësuar një pauzë të zgjatur në luftime, që do të lejonte më shumë ushqime, ujë, karburant, ilaçe dhe sende të tjera thelbësore për të hyrë në duart e civilëve palestinezë që dëshpërimisht kanë nevojë për to. Rezoluta e paraqitur në Këshillin e Sigurimit, në të kundërt, nuk do t’i arrinte këto rezultate. Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara nuk e mbështesin veprimin për këtë projekt-rezolutë. Nëse do të dalë për votim siç është hartuar, nuk do të miratohet”, tha ambasadorja Thomas-Greenfield.
Nga ana tjetër kryeministri izraelit, Netanyahu përsëriti qëllimet e tij për të shkatërruar Hamasin dhe tha se forcat e tij do të luftojnë derisa Izraeli të arrijë “fitoren absolute”.