Rezoluta për armëpushim në Gaza, Guterres: Po rritet ndërgjegjësimi ndërkombëtar për t’i thënë stop Izraelit
Teksa Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të votojë për një tjetër projekt-rezolutë ku kërkon një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, Sekretari i përgjithshëm i OBK-së, Antonio Guterres ka mbajtur një konferencë për shtyp ku kërkon ndaljen e sulmeve izraelite dhe shmangien e një katastrofë humanitare për palestinezët.
“Është absolutisht thelbësore të mbash gjallë njerëzit në Gaza. Ne kemi insistuar në nevojën për një armëpushim. Në fillim, zëri ynë ishte relativisht i vetëm, por tani po shohim gjithnjë e më shumë nga komuniteti ndërkombëtar që e njeh të njëjtën gjë. Për ne, ato që kanë rëndësi janë parimet, dhe parimet janë Karta e OKB-së, e drejta ndërkombëtare, integriteti territorial i vendeve, por edhe e drejta ndërkombëtare humanitare dhe e drejta e vetëvendosjes së njerëzve,” tha Guterres.
Shefi i OKB-së tha se ai sheh një konsensus në rritje në komunitetin ndërkombëtar për t’i thënë Izraelit se nevojitet një armëpushim.
“Por gjithashtu, ka gjithashtu një konsensus në rritje për t’u thënë qartë izraelitëve se çdo pushtim tokësor i Rafahut mund të nënkuptojë një fatkeqësi humanitare katastrofike”, tha ai.
Guterres tha se rezoluta që pritet të votohet në Këshillin e Sigurimit për armëpushim në Gaza nuk lidhet me lirimin e pengjeve.
“Në rezolutë kërkohet një armëpushim së bashku, por jo në lidhje me lirimin e pakushtëzuar të të gjithë pengjeve. Ne kemi pretenduar gjithashtu nevojën për atë lirim”, tha Guterres.