Rezolutë për sulmin në veri, Kosova kërkon hetim ndërkombëtar të sulmeve në Banjskë
Kuvendi i Kosovës e nisi punën me një minutë heshtje në nderim të policit të vrarë në veri më 24 shtator.
Në seancën e së enjtes deputetë miratuan edhe një Rezolutë që dënon sulmin e së dielës mbi Policinë e Kosovës nga një grup terrorist serb.
Ndërkohë kryeministri Albin Kurti bëri thirrje nga Kuvendi i Kosovës që faktori ndërkombëtar të sanksionojë dhe ndëshkojë Serbisë për sulmin të së dielës ndaj Policisë në Banjskë.
“Për këtë akt të agresionit ndaj Kosovës, Serbia duhet të sanksionohet dhe ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse kalon e pandëshkuar ajo atëherë do të përsërisë krimin. Armatimi ushtarak dhe trajnimet luftarake që i kishin profesionistët serbë të cilët sulmuan në Banjskë të dielën janë që të gjitha nga Serbia dhe të freskëta në kohë”, tha Kurti.
Kurti u kërkoi shteteve partnere të Kosovës t’i shpallin terroriste organizatat që veprojnë në veri “Mbrojta Civile” dhe “Brigada e Veriut.“