Rienergjizimi i partisë dhe anëtarësimet e reja, PS mbledh sot Asamblenë Kombëtare
Asambleja e Partisë Socialiste do të mblidhet sot në Durrës. Takimi do të mbahet në një prej resorteve të qytetit, dhe pritet të nisë në orën 11 me fjalën e kryeministrit Rama, njëherësh kryetar i PS-së. Fokusi i mbledhjes është rienergjizimi i partisë, zbatimi i detyrave të lëna më herët për strukturat e saj, korrigjimi i problematikave dhe mangësive të evidentuara në organizatat socialiste, si dhe anëtarësimet e reja.
Në agjendën e punimeve është parashikuar edhe miratimi i dy projekt-udhëzimeve mbi “zgjedhjet e përgjithshme në parti” dhe “Kriteret përzgjedhëse të kandidatëve për delegatë të kongresit të partisë”.
Në zgjedhjet e vitit 2021, Edi Rama u zgjodh deputet në qarkun e Durrësit. Atje pritet të ketë disa investime të rëndësishme si Porti i Jahteve dhe ai i Porto Romanos.
1 vit para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, kryesocialisti Rama po zhvillon një tur në të gjithë vendin për anëtarësimet e reja.