Rigjenerimi i stokut të banesave, Rama në Shkodër: Kursimi i energjisë, një prej të mirave të kësaj ndërhyrje
Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën e sotme nga Shkodra, ku ka inspektuar Bulevardin kryesor të qytetit, aty ku po realizohet projekti për rigjenerimin e stokut të banesave.
Rama ka deklaruar se nevojitet një projekt i unifikuar sikurse është bërë në Korçë dhe Gjirokastër.
“Duhet patjetër të bëhet edhe një unifikim i dyqaneve. Duhet një projekt i unifikuar, siç është bërë në Korçë e Gjirokastër”, u shpreh kryeministri, teksa theksoi se kursimi i energjisë është një prej të mirave të kësaj ndërhyrje.
“Janë me kursim energjie se fasadë është njëra anë dhe është shumë e rëndësishme, pavarësisht se disa vazhdojnë të mos e kuptojnë, por ajo që është përmbajtja e kësaj ndërhyrje është që këtyre i ulet shpenzimi i energjisë edhe në verë edhe në dimër”, u shpreh ai, teksa sugjeroi që edhe dyqanet poshtë pallateve të bëhen pjesë e kësaj nisme.
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci informoi se projekti do të përfundojë në 4-5 muaj.
“Kjo është një nga shumë ndërhyrjet që kemi bërë në Bulevardin kryesor me asfaltim, ku ka qenë plotësisht e dëmtuar shtresa e sipërme. Do të jetë vazhdim i një ndërhyrje rreth 5 km në Shkodër, rrugë asfaltike, që po bëhet aktualisht me vijëzime, me sinjalistikë dhe do të vazhdojmë edhe në akse të tjera. Pastaj do të vazhdojmë me pjesën e projektit për ndriçimin dhe me pjesën e projektit për trotuaret, por fillimisht kemi bërë disa ndërhyrje të domosdoshme për qytetin”, shpjegoi Kryetari i Bashkisë Beci, teksa evidentoi se Shkodra tanimë është në një nivel krejt tjetër në aspektin e pastërtisë së mjedisit.
Ndërkohë ka nisur edhe rehabilitimi i rrugës “Kardinal Mikel Koliqi”, një segment rrugor që lidh zonën e Dugajve të Reja me kryqëzimin e spitaleve. Ndërhyrja në këtë rrugë pason edhe dy investimet në bulevardin “Mehmet Pashë Plaku” dhe “Bujar Bishanaku” në qytetin e Shkodrës.