Rihapet gara për Drejtor të Përgjithshëm, Këshilli Drejtues i RTSH rrëzon procedurat e 6 janarit

Me miratimin e rregullores së re për procedurën e përzgjedhjes së Drejtorit të Radio Televizionit Shqiptar, Këshilli Drejtues vendosi hapjen e garës për vendin vakant.
Me të gjitha votat e anëtarëve prezentë, fillimisht Këshilli rrëzoi procedurën e garës së hapur më 6 janar, e cila ishte pezulluar me kërkesë të Komisionit parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.
Kështu Këshilli Drejtues i hapi rrugën garës me procedurat që rinisin nga e para.
“… të miratojë sot hapjen e garës së konkurrimit për Drejtor të Përgjithshëm të Radio Televizionit publik Shqiptar. Të interesuarit do të kenë afat nga sot deri në datën 15 prill 2025, brenda orarit zyrtar, për të dorëzuar dokumentacionin sipas kritereve të përcaktuara”, u shpreh kryetari i Këshillit Drejtues, Fatjon Hoxhalli.
Brenda këtij afati, të interesuarit do të duhet të paraqesin pranë Radio Televizionit Shqiptar dokumentet e kërkuara sipas rregullores së procedurave të miratuara me unanimitet në këtë mbledhje, që gjenden në faqen zyrtare të RTSH. Më pas, në një mbledhje të dytë, Këshilli Drejtues do t’i shqyrtojë ato.
Anëtarët e vlerësuan menaxhimin e deritanishëm në këtë periudhë tranzitore të institucionit nga drejtuesja në detyrë, Zëvendësdrejtoresha Aurora Polo. Një pikë tjetër e rëndësishme e mbledhjes ishte miratimi i projektbuxhetit të RTSH.