Rikonstruktohen trotuaret e qytetit – Bashkia Shkodër: Do të ndërhyhet në të gjitha trotuaret e dëmtuara

Prej disa ditësh, Bashkia Shkodër ka nisur punën për rikonstruksionin e trotuareve në rrugët e qytetit.
Punimet kanë nisur fillimisht në bulevardin “Zogu i Parë,” nga Parruca në lagjen Xhabije.
Përgjegjësja e Infrastrukturës në Ndërmarrjen e Shërbimeve dhe Punëve Publike, Bardha Jukni, në një intervistë për mediat, ka deklaruar se kjo ndërmarrje ka hartuar një plan ndërhyrjeje për zonat më problematike të qytetit, ku ka pasur dëmtime të vazhdueshme ndër vite në hapësirat për këmbësorët.
Jukni, ndër të tjera, ka theksuar se rikonstruksioni i plotë i trotuareve në rrugën e Gjykatës, një shqetësim i ngritur shpesh nga mediat dhe banorët, është parashikuar të realizohet në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.
Trotuaret në rrugët e Shkodrës kanë pësuar dëmtime të shumta gjatë viteve.
Falë këtij plani ndërhyrjeje, pritet një përmirësim i ndjeshëm në aksesin e këmbësorëve në hapësirat e dedikuara për ta.