Rikthehen reshjet e borës – Rrugët e kalueshme, në disa fshatra mungon energjia
Kjo e enjte ka rikthyer reshjet e dëborës në lartësitë mbi 800 meter në nivelin e detit.
Në akset Bogë-Theth dhe Lepushë-Vermosh, gjatë natës, trashësia e dëborës së re të rënë i ka kaluar 20 cm. Akset janë të hapura, por nevojiten goma dimërore dhe më disa segmente edhe zinxhirë.
Më shqetësuese është situata afër skërpatave të maleve ku ka rrëshqitje gurësh si shkak i shirave të rëna të cilat janë pastruar nga firmat e kontraktuara.
Në bashkitë Vau Dejës, Pukë e Fushë Arrës akset janë të hapura me përjashtim të disa rrugëve të brendshme të njësisë administrative Iballë dhe Fierzë ku është i pamundur kalimi.
Ndërsa, në njësinë administrative Gruemirë të Malësisë së Madhe,, sipas raportimit të Prefekturës së Shkodrës, ka mungesë të furnizimit me energji elektrike.
Sipas OSHEE, grupet janë në terren dhe po punojnë për rikthimin e energjisë.
Në Lezhë ka patur reshje intensive shiu ku në 24 orë u shënuan 50mm reshje duke shkaktuar vështirësi në disa akse në qytet.